Vaksinimi kundër gripit sezonal pritet të nisë të hënën në Maqedoninë e Veriut, ndërsa aplikimet për imunizim janë hapur tashmë përmes sistemit elektronik Termini Im.
Deri tani kanë mbërritur 30 mijë doza të vaksinës kundër gripit. Deri më 15 nëntor pritet të sigurohen edhe 26 mijë doza, ndërsa synimi i autoriteteve shëndetësore është që këtë sezon të sigurohen gjithsej 80 mijë doza.
Përparësi në vaksinim do të kenë personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, punonjësit shëndetësorë dhe fëmijët nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç. Shpërndarja do të bëhet sipas prioriteteve mjekësore.
Autoritetet presin gjithashtu mbërritjen e vaksinave të reja BCG, të cilat përdoren për mbrojtjen e të porsalindurve nga tuberkulozi. Sasi të vaksinës janë siguruar përmes UNICEF-it nga një prodhues japonez dhe dozat e reja pritet të mbërrijnë brenda pak ditësh.
Furnizimi i mëparshëm me vaksinën BCG ishte ndërprerë përkohësisht si masë kujdesi, pas raportimit në Kroaci të katër rasteve të osteomielitit te fëmijët.