Valmir Berisha u gjet i plagosur pranë varrezave në Marec dhe vdiq në Qendër Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për shkak të plagëve të marra.
Ngjarja u raportua si e rëndë, ndërsa i riu humbi jetën mbrëmë gjatë mjekimit. Ai punonte si zyrtar i teknologjisë së informacionit në Ndërmarrjen Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” Sh.A..
Ndërmarrja njoftoi me pikëllim të thellë për vdekjen e tij përmes një njoftimi mortor. Aty thuhet se Valmir Berisha ishte pjesë e pandashme e familjes institucionale, profesionist i përkushtuar, i sjellshëm dhe i besuar. Gatishmëria e tij për të ndihmuar, karakteri i butë dhe etika e punës e bënin atë shok të mirë për kolegët.
Humbja lë zbrazëti të madhe në kolektiv, të cilën do ta mbajnë në kujtesë me mirënjohje dhe respekt. Ndërmarrja shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe miqtë e të ndjerit, duke u lutur Zotit për forcë dhe durim në këto momente të rënda.