Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, Dr. Elmi Berisha, i është drejtuar me një letër zyrtare Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, me kërkesën për një angazhim të drejtpërdrejtë diplomatik në lidhje me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në këtë komunikim, Berisha e cilëson procesin si të motivuar politikisht dhe vlerëson se ai rrezikon të dëmtojë historinë e luftës çlirimtare të Kosovës, si dhe raportet strategjike ndërmjet dy vendeve.
Sipas kreut të VATRA-s, lufta në Kosovë ka qenë një përpjekje mbrojtëse përballë spastrimit etnik të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Në letrën e tij, Berisha përmend shifra të rënda të pasojave të luftës, duke theksuar se gjatë konfliktit janë vrarë mbi 15 mijë civilë shqiptarë, rreth 25 mijë persona kanë qenë viktima të dhunës seksuale, ndërsa mbi një milion njerëz janë zhvendosur. Ai argumenton se kriminalizimi i drejtuesve të UÇK-së cenon drejtësinë historike.
Duke iu referuar afrimit të vendimit përfundimtar, Berisha i kërkon Presidentit Trump të shfrytëzojë ndikimin diplomatik për rishikimin e mandatit të gjykatës, duke pretenduar se institucioni po tejkalon kompetencat e tij. Ai ka bërë thirrje që SHBA të mbështesë lirimin e ish-krerëve: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Përveç kësaj, Berisha thekson se Serbia dhe Rusia po e përdorin këtë proces për qëllime propagande kundër shtetësisë së Kosovës dhe ndikimit amerikan në rajon. Ai ka kujtuar gjithashtu mbështetjen e mëparshme të Trump përmes Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020 dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Izraelit. Në përfundim, kreu i VATRA-s thekson se mbrojtja e atdheut nuk duhet të konsiderohet krim.