Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, po zhvillohet për të dytën ditë me radhë procesi gjyqësor ndaj tre të akuzuarve: Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq. Seanca e radhës është caktuar të nisë sot, në orën 13:30, ndërsa procesi po vijon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve, pas dëshmive të marra gjatë ditës së djeshme.
Tre të akuzuarit, gjatë paraqitjes së tyre më 9 korrik, deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për akuzat që rëndojnë mbi ta dhe zgjodhën të mos e lexojnë aktakuzën. Prokurori special, Bekim Kodraliu, ka prezantuar qëndrimin e Prokurorisë, duke dorëzuar materiale provuese, përfshirë pamje të cilat, sipas organit të akuzës, mbështesin pretendimet për sulmin ndaj infrastrukturës kritike.
Sipas Prokurorisë, sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit përbën një akt terrorist që kishte për synim dëmtimin e një infrastrukture jetike të Kosovës dhe rrezikimin e sigurisë së Republikës. Prokurori Kodraliu ka deklaruar se organet e drejtësisë janë të bindura se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të dëshmohet përgjegjësia e të akuzuarve, bazuar në provat e mbledhura gjatë hetimeve.