Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë mbahet sot seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2023 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut. Të pandehurit Jovan Viqentijeviq, Dragisha Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq vazhdojnë të mohojnë akuzat, duke deklaruar pafajësinë e tyre, njësoj si në seancën e kaluar.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga prokurori Bekim Kodraliu, pretendon se provat e siguruara janë të mjaftueshme për të dëshmuar fajësinë e të akuzuarve. Sipas organit të akuzës, hetimet kanë zbuluar përfshirjen e institucioneve të Serbisë në organizimin dhe përgatitjen e këtij sulmi. Gjatë hetimeve, autoritetet kanë konfiskuar armë, municion, pajisje ushtarake, mjete komunikimi dhe prova të tjera materiale. Prokuroria thekson se analizat forenzike, përfshirë ekzaminimet e ADN-së dhe ekspertizat teknike, lidhin drejtpërdrejt të akuzuarit me vendin ku ndodhi shpërthimi.
Nga ana tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar këto pretendime, duke kërkuar nga gjykata një vlerësim objektiv të provave. Avokatët argumentojnë se aktakuza nuk përshkruan me qartësi veprimet konkrete të atribueshme klientëve të tyre.
Së bashku me akuzat për rrezikim të rendit kushtetues, kryerje të veprës terroriste dhe posedim të paautorizuar të armëve, Jovan Viqentijeviq përballet edhe me akuzën për spiunazh. Seanca e sotme, e cila ka nisur në orën 10:00, fokusohet në administrimin e provave dhe shqyrtimin e argumenteve të paraqitura nga palët për këtë infrastrukturë kritike, e cila është jetike për furnizimin e Kosovës me ujë dhe energji elektrike.
Përditësime
Në vazhdim të procesit gjyqësor për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, drejtori i Infrastrukturës, Ernest Kërçeli, dëshmoi sot në cilësinë e palës së dëmtuar. Ai deklaroi se dëmi ekonomik nga ky sulm kap vlerën e mbi 376 mijë eurove. Kërçeli potencoi rëndësinë jetike të kanalit për ftohjen e turbinave në Termocentralin 'Kosova B', duke shpjeguar se sulmi shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë për 3 deri në 5 ditë. Për të sanuar gjendjen, menaxhmenti instaloi gjashtë gypa si zgjidhje e përkohshme, duke rikthyer 75% të kapacitetit gjatë natës së sulmit.
Në procesin gjyqësor për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, dëshmitari Ernest Kërçeli ka dëshmuar para Gjykatës Themelore në Prishtinë për koordinimin ndërinstitucional mes Policisë së Kosovës dhe KFOR-it para sanimit të kanalit. Kërçeli potencoi se vonesat në ndërhyrje rrezikonin dëme ekonomike milionëshe në sektorët e energjisë dhe ujësjellësit. Trupi gjykues njoftoi se në seancat e ardhshme do të vazhdojë shqyrtimi i provave materiale dhe dëgjimi i dëshmitarëve të tjerë të Prokurorisë.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar sot në orën 13:30 seanca gjyqësore ndaj Jovan Viqentijeviqit, Dragisha Viqentijeviqit dhe Igor Dimoviqit, të akuzuar për sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc. Gjykata konstatoi se të akuzuarit kishin refuzuar zyrtarisht leximin e aktakuzës në seancën e datës 9 korrik.
Në vazhdim të procesit gjyqësor për sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc, dëshmitari Ernest Kërçeli deklaroi para kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismaili, se nuk kishte vërejtur asnjë shpërthim apo person të dyshimtë para ndërhyrjes së autoriteteve. Kërçeli theksoi se dështimi i kësaj ndërhyrjeje do të kishte shkaktuar ndërprerjen totale të ngrohjes dhe ujit për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe qytetin e Prishtinës.