Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin gjatë orëve të natës kanë krijuar vështirësi të konsiderueshme në qarkullimin rrugor në aksin që lidh Ferizajn me Shkupin. Si pasojë e vërshimeve të shpejta, pjesë të rrugës janë mbuluar nga uji, duke bërë të pamundur kalimin normal të mjeteve.
Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale dhe raportimeve nga Klankosova.tv, disa kamionë, si dhe një sërë automjetesh të tjera, kanë ngecur në rrugë, duke shkaktuar një bllokim të trafikut. Përveç këtij aksi rrugor, moti i keq me reshje intensive ka prekur edhe zona të tjera të territorit të Kosovës, ku autoritetet po ndjekin situatën e vështirësuar në disa komuna.