Reshjet e shiut, të nisura nga mbrëmja e së premtes, kanë shkaktuar vërshime në disa zona të Suharekës. Autoritetet komunale kanë bërë thirrje për kujdes, pasi disa rrugë janë bërë të kalueshme me vështirësi.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se rruga që kalon nga fshati Tërrnje në drejtim të Nëpëbishtit është e bllokuar plotësisht. Ai ka shpërndarë këtë informacion përmes një postimi dhe videoje në Facebook, duke apeluar qytetarët të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjeve. Muharremaj ka qenë në terren për të vlerësuar situatën, e cila mbetet e paqëndrueshme për shkak të reshjeve të vazhdueshme.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar mëngjesin e së shtunës se një segment i rrugës nacionale Ferizaj-Prishtinë është ndaluar përkohësisht për qarkullim të automjeteve, për shkak të pranisë së madhe të ujit në rrugë. Kjo masë është marrë për të shmangur rreziqet e mundshme për vozitësit.