Naser Ramadani, mjek nga Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka shpjeguar se virusi Nipah, i cili ka përhapur shqetësim global për shkak të shpërthimit në Indi, paraqet rrezik shumë të ulët për Kosovën, Shqipërinë dhe Evropën. Ai e ka bërë këtë vlerësim në një postim në Facebook, duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të informuar dhe jo të frikësuar.
Virusi Nipah transmetohet kryesisht nga kafshët te njerëzit, me burimet më të shpeshta lakuriqët e frutave nga familja Pteropodidae, të cilët nuk jetojnë në Kosovë apo Shqipëri. Lakuriqët vendorë, Rhinolophus hipposideros (hundëpatkua i vogël), janë insektivorë dhe ushqehen kryesisht me insekte dhe molusqe të vogla, jo me fruta. Aktualisht, virusi nuk përhapet përmes ajrit.
Shpërthimet e këtij virusi janë të rralla dhe të kufizuara kryesisht në zona të Azisë, me shkallë vdekshmërie nga 40% deri në 75%. Rreth 20% e të mbijetuarve mund të kenë pasoja neurologjike afatgjata.
Simptomat
• Ethe dhe dhimbje koke;
• Konfuzion, lodhje, marramendje;
• Të vjella, diarre dhe vështirësi në frymëmarrje;
• Në rastet e rënda, ënjtje e trurit (encefalit) dhe vdekje.
Diagnostikimi dhe trajtimi
Testet kryesore përfshijnë RT-PCR dhe testet e antitrupave (ELISA). Nuk ekziston vaksinë ose terapi e miratuar. Trajtimi është mbështetës, me oksigjenim, hidratim dhe kujdes për funksionet bazë të organizmit.
Masat parandaluese
• Mos konsumoni fruta ose lëngje të mundshme të kontaminuara nga lakuriqët;
• Përdorni doreza dhe mbrojtje kur trajtoni kafshë të sëmura;
• Shmangni kontaktin e afërt me të sëmurët dhe mbani higjienën e duarve;
• Në spitale, izoloni pacientët dhe stafi përdorë maska, doreza, mantila dhe syze mbrojtëse.
Përditësime
IKSHPK mbajti takime të Komitetit për Inteligjencë Epidemike dhe të Komitetit për Sëmundje Ngjitëse.
Institucioni vlerësoi rrezikun nga virusi Nipah si të ulët për Kosovën. Sipas OBSH-së, shpërthimet janë sporadike, me dy raste në Indi.
Rekomandimet përfshijnë zgjerimin e mbikëqyrjes epidemiologjike dhe rritjen e gatishmërisë së sistemit shëndetësor.