Austria po përgatitet për masa të rrepta sigurie përpara Festivalit të 70-të të Këngës Eurovision, i cili do të mbahet në Vjenë nga 12 deri më 16 maj në sallën Stadthalle, pranë qendrës së qytetit.
Autoritetet austriake kanë paralajmëruar se kontrollet do të jenë të ngjashme me ato të aeroporteve, për të garantuar një ngjarje të sigurt për pjesëmarrësit dhe publikun. Publiku nuk do të lejohet të sjellë çanta në vendngjarje, ndërsa qen të trajnuar posaçërisht do të patrullojnë në qytet edhe përpara fillimit të konkursit.
Oliver Lingens, drejtor i ngjarjeve artistike për transmetuesin publik ORF, ka theksuar se “prioriteti ynë është të kemi një ngjarje të sigurt dhe ne duhet ta garantojmë këtë”. Ai shtoi se siguria e të gjitha delegacioneve është shumë e rëndësishme, pa dhënë detaje të veçanta për delegacionin izraelit.
Zëvendësshefi i policisë së Vjenës, Dietev Cefn, ka deklaruar se aktualisht nuk ka ndonjë kërcënim specifik për Eurovisionin, por shërbimet e sigurisë janë në kontakt të ngushtë me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Çdo ditë do të vendosen rreth 500 agjentë sigurie në sallë.
Ndërkohë, disa vende kanë vendosur të bojkotojnë festivalin. Spanja, Irlanda, Islanda, Hollanda dhe Sllovenia nuk do të marrin pjesë, pjesërisht për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, i cili akuzohet për manipulim të votës publike në konkursin e vitit 2025 dhe për shtypjen e lirisë së shtypit gjatë luftës në Gaza.
Austria, fituese e vitit të kaluar në Bazel të Zvicrës me artistin JJ, këtë vit do të përfaqësohet nga artisti Kosmos, 19-vjeçar.