Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, prezantoi Arjeta Musliun si kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës, në kuadër të rrugëtimit politik për zgjedhjet e 7 qershorit. Lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook.
Osmani vlerësoi angazhimin e Musliut për familjet dhe të rinjtë e prekur nga varësia nga substancat narkotike. Ajo theksoi se historia e Musliut "nuk u formësua nga politika, por nga dhimbja", të cilën ajo e ka kthyer në forcë dhe mision për të shpëtuar jetë, për t’u dhënë zë familjeve që luftojnë në heshtje dhe për t’u rikthyer shpresën atyre që e kanë humbur.
Osmani rikujtoi se në vitin 2021 e kishte dekoruar Musliun me Urdhrin Presidencial “Shote Galica”, si vlerësim për kontributin e saj. Ajo shtoi se Musliun e kanë mbështetur në të kaluarën dhe do ta mbështesin gjithmonë, duke thënë se ajo do të jetë zëri i kësaj kauze në Kuvendin e Kosovës.