Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës, më 7 qershor 2026, ku pas një përleshjeje fizike në Gjakovë, katër persona mbetën të lënduar. Viktima, një 18-vjeçar, u dërgua në Shërbimin e Emergjencës të Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” pa shenja jete. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për reanimim, i riu nuk arriti të mbijetonte për shkak të plagëve të rënda nga përdorimi i një mjeti të mprehtë (thikë).
Sipas raportimit zyrtar të spitalit, tre personat e tjerë të përfshirë në përleshje morën trajtim mjekësor. Njëri prej tyre është hospitalizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy pacientët e tjerë, pas ekzaminimeve të kryera, janë liruar për të vazhduar trajtimin në kushte shtëpiake.
Organet e hetuesisë kanë nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në lidhje me këtë rast, Prokuroria ka njoftuar ndalimin e një personi të dyshuar për një periudhë prej 48 orësh.