Në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, rreth orës 15:40 të së premtes, 31-vjeçari Egli Pashollari u vra me thikë gjatë një përleshjeje. Autori i dyshuar Gazmend Buçpapa, bashkë me bashkëshorten e tij dhe një person tjetër, u përball me viktimën. Pashollari u godit të paktën një herë në kurriz, iu dha ndihma e parë pranë një lokali nga dëshmitarë dhe humbi jetën rrugës për në spital.
Pas ngjarjes, të dyshuarit larguan vendin me automjetin e Buçpapës, të cilin e braktisën për të vazhduar me taksi drejt banesës në zonën e Sharrës. Buçpapa u arratis nga shtëpia dhe policia e ka shpallur në kërkim, duke u përqendruar edhe te roli i personave të tjerë të përfshirë.
Dëshmitë e marra
Bashkëshortja e Buçpapës, e cila punon si shitëse në një market pranë vendit të ngjarjes, u mor në pyetje nga policia. Ajo deklaroi se viktima e ngacmonte shpesh dhe i kishte njoftuar burin për këtë. Pas dëshmisë, ajo u la e lirë. Prindërit e autorit të dyshuar u shoqëruan dhe konfirmuan versionin e saj.
Familjarët e viktimës thanë se nuk kishin dijeni për ndonjë konflikt të tillë.
Motivi i dyshuar lidhet me pretendimet për ngacmimet e vazhdueshme ndaj bashkëshortes së Buçpapës, çka çoi në konfliktin fatal. Policia vazhdon hetimet.
Përditësime
Kamerat e sigurisë zbulojnë dinamikë të re në vrasjen e 31-vjeçarit në Tiranë:
- Buçpapa ndaloi makinën pranë marketit. Pashollari i kërkoi të hapë rrugën, duke nisur një debat me fyerje reciproke.
- Bashkëshortja e autorit dëshmoi se doli nga marketi dhe pa burin në konflikt me viktimën, e cila e shante atë.
- Hetimi hap një pistë të re që sfidon dyshimin fillestar për ngacmimin si motiv kryesor.
Buçpapa shkoi të merrte bashkëshorten e tij, menaxhere në një market, për vizitë mjekësore. Pas hipjes së saj në makinë, makina e viktimës bllokoi rrugën. Buçpapa i ra borisë 31-vjeçarit për ta hapur rrugën.