Një ngjarje e rëndë është raportuar në fshatin Brus të komunës së Lipjanit, ku një person ka mbetur i lënduar pas një tentative vrasjeje. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të enjten, më 24 korrik, rreth orës 19:28.
Hetetimet paraprake tregojnë se konflikti ka pasur si shkak një mosmarrëveshje mes viktimës dhe të dyshuarit, të dy shtetas kosovarë. Gjatë këtij konfrontimi, i dyshuari ka përdorur armë zjarri në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar këtij të fundit lëndime trupore.
Viktima ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe, pas trajtimit nga ekipet shëndetësore, është liruar për në shtëpi. Ndërkohë, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur dhe autoritetet janë vënë në kërkim të tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore për të kryer ekzaminimet e nevojshme. Prokurori i shtetit është njoftuar për rastin dhe po mbikëqyr procesin hetimor për zbardhjen e rrethanave të kësaj vepre penale.