Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 të datës 18 korrik 2026. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, një person është arrestuar nën dyshimin për veprën penale "vrasje në tentativë", pasi ka sulmuar me thikë një burrë kosovar, duke i shkaktuar atij lëndime trupore.
Viktima ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, por për shkak të gjendjes së tij, është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, hetuesit kanë sekuestruar thikën e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale. Pas intervistimit, prokurori kompetent ka urdhëruar ndalimin policor të të dyshuarit për një periudhë prej 48 orësh. Sektori Rajonal i Hetimeve po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të rastit.
Përditësime
Policia e Kosovës njoftoi se tentim-vrasja në rrugën 'Adem Jashari' në Mitrovicë ka ndodhur në orën 01:20. Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari ka qenë në gjendje të dehur në momentin e kryerjes së veprës.