Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka dhënë një intervistë për gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung, ku komentoi pjesëmarrjen e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në Bordin e Paqes, të themeluar nga ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Ai tha se Osmani u shfaq "si yll" dhe se "këtë nuk e prisnim nga administrata Trump". Vuçiq shprehu shpresën për një qëndrim më të vendosur të Uashingtonit ndaj politikave të qeverisë së Kosovës. "Shpresoj për një qëndrim më të vendosur kundër regjimit të kryeministrit Albin Kurti. Ata po provokojnë të gjithë serbët në Kosovë dhe ekziston i ashtuquajturi Bordi i Paqes, ku presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shfaqet si yll", deklaroi ai.
Vuçiq hodhi poshtë pretendimet për përdorim të forcës së tepërt ndaj studentëve protestues, duke thënë se policia u përball me dhunë nga ana e tyre.
Sa i përket integrimit evropian, ai u pyet nëse Serbia dëshiron avantazhet e tregut të përbashkët të BE-së pa presion për sundimin e ligjit dhe demokratizim. Vuçiq u përgjigj se presioni duhet të mbetet: "Ata duhet të jenë gjithmonë në gjendje të thonë – nuk jeni mjaftueshëm të mirë".