Autoritetet e qytetit të Welsit, në Austri, ia ndërprenë ndihmën sociale një personi nga Kosova, pasi zbuluan se ai kishte në pronësi një shtëpi dhe merrte pension në Kosovë, pa i deklaruar këto pranë institucioneve austriake. Rasti u bë publik në një njoftim të Komunës së Welsit, të publikuar më 2 nëntor 2026, sipas Telegrafit.
Zyrtarët komunalë nisën verifikimet pasi nuk e gjetën personin në banesën e tij në Austri gjatë disa vizitave. Pas kontrolleve, konstatuan se ai kishte pasuri dhe të ardhura nga pensioni në Kosovë, ndërkohë që përfitonte ndihmë sociale në Austri. Autoritetet ia ndërprenë përfitimin dhe e raportuan rastin te institucionet përgjegjëse.
Personit iu kërkua të kthente afro 9 mijë euro nga ndihma e marrë. Sipas Komunës së Welsit, ai e shlyeu shumën përmes pagesave me këste.
Komuna njoftoi se deri në shtator të vitit 2026 kishte kryer gjithsej 97 kontrolle në banesat e përfituesve të ndihmës sociale. Vizitat u zhvilluan në mënyrë të rastësishme dhe pas informacioneve të pranuara nga qytetarët. Zyrtarët verifikuan nëse përfituesit banonin në adresat e deklaruara, si dhe pasurinë, të ardhurat dhe qëndrimet e mundshme për periudha të gjata jashtë Austrisë.
Në një rast tjetër, një përfitues nuk u gjet disa herë në banesë. Pas verifikimeve, autoritetet konstatuan se ai qëndronte për javë të tëra në Turqi. Ndihma e tij u rillogarit dhe rasti iu përcoll autoriteteve përkatëse.
Kryetari i Welsit, Andreas Rabl, tha se ndihma sociale duhet t’u shkojë personave që kanë nevojë dhe se kontrollet do të vazhdojnë për të parandaluar keqpërdorimet. Komuna tha se synimi është që fondet publike t’u jepen vetëm personave që plotësojnë kushtet ligjore.
Debati politik në Linz
Albinfo.ch raportoi se rastet kanë nxitur debat politik në Linz. Këshilltari për siguri i FPÖ-së, Michael Raml, mbështeti kërkesën e partisë për krijimin e një njësie të posaçme hetimore kundër keqpërdorimit të ndihmës sociale dhe kritikoi shumicën socialdemokrate dhe të gjelbër në qytet.
Sipas Albinfo.ch, FPÖ e kishte paraqitur kërkesën për krijimin e një grupi të tillë kontrollues në këshillin komunal të Linzit në korrik të vitit 2025, por iniciativa ishte refuzuar nga shumica e atëhershme.