Kongresisti republikan amerikan Joe Wilson i ka kërkuar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të vendosë sanksione ndaj katër biznesmenëve serbë, të cilët në letër i përshkruan si të afërt me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit. Sipas letrës së 14 tetorit, Wilson kërkon t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara dhe përdorimi i sistemit financiar amerikan.
Në listë janë Ivan Boshnjak dhe Stojan Vujko, nga kompania Millennium Team; Davor Macura, nga Alta Banka; dhe Zhelko Mitroviq, pronar i televizionit Pink. Wilson iu drejtua Rubios në cilësinë e bashkëkryesuesit të Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i njohur si Komisioni amerikan i Helsinkit.
Në letër, biznesmenët akuzohen se shfrytëzojnë burimet publike për pasurim personal dhe se mbështesin regjimin e Vuçiqit. Wilson thotë se ata kanë vepruar kundër interesave amerikane në Serbi dhe në rajon, si dhe janë përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Ai e akuzon Vuçiqin për dobësim të sundimit të ligjit dhe përpjekje për të eliminuar konkurrencën demokratike. Sipas letrës, qeverisja e tij ka hapur rrugë për ndikimin rus dhe kinez.
Sipas kërkesës, Boshnjak dhe Vujko kanë përfituar kontrata të shumta me shtetin dhe kompani kineze, të cilat letra i lidh me dyshime për korrupsion. Wilson pretendon se kjo praktikë favorizon bizneset e afërta me pushtetin dhe përjashton gradualisht kompanitë perëndimore, përfshirë ato amerikane, nga tregu serb. Alta Banka akuzohet për përfshirje në pastrim parash, ndërsa televizioni Pink për përqendrim të kontrollit mbi mediat dhe shërbim si mjet propagandistik i pushtetit.
Millennium Team dhe Alta Banka i kanë hedhur poshtë pretendimet në përgjigjet e tyre për Radion Evropa e Lirë, duke i cilësuar si të pavërteta. Mitroviq nuk iu përgjigj drejtpërdrejt akuzave, ndërsa Partia Përparimtare Serbe nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Asnjëra nga tri kompanitë nuk është nën sanksione ndërkombëtare dhe nuk ka qenë as më parë. Boshnjak, Vujko dhe Macura nuk janë sanksionuar ndonjëherë. Mitroviq ishte sanksionuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se nuk komenton komunikimet me Kongresin ose veprimet për raste konkrete, duke përmendur konfidencialitetin e të dhënave për viza. Ai shtoi se administrata zbaton standarde të larta të sigurisë kombëtare dhe publike gjatë shqyrtimit të kërkesave për viza. Sanksionet janë instrument i politikës së jashtme dhe vendosja e tyre nuk nënkupton domosdoshmërisht dënim penal.
Portalb.mk shton se Alta Banka bleu në maj të vitit 2025 Stopanska Bankën Manastir, me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas këtij burimi, mediat serbe e identifikojnë Macurën si pronar të Alta Group, ndërsa e përjavshmja Radar raportoi se bizneset e tij u zgjeruan ndjeshëm pas ardhjes në pushtet të Partisë Përparimtare Serbe. Portalb.mk shton gjithashtu se, sipas një marrëveshjeje të re me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike, qytetarët e Beogradit paguajnë faturat e energjisë elektrike në llogarinë e hapur në Alta Bank.