Landi (Puja) Deraji ka dëshmuar para oficerëve të krimeve të rënda se ka qëlluar me thikë Skerdilajd Isufin, 48-vjeçar, në Kavajë mesditën e 21 shkurtit 2026. Viktima humbi jetën pas pak minutash në spital nga plagët në gjoks dhe zemër.
Sipas dëshmisë së Derajit, konflikti nisi kur Isufi parkoi makinën para shtëpisë së tij, duke penguar hyrjen. Deraji doli dhe i kërkoi ta lëvizte automjetin. Isufi iu përgjigj: "Nuk dua ta lëviz makinën, po ik futu brenda se e di çfarë të bëj apo jo?!"
Situata u përshkallëzua me fjalosje reciproke. "Kush je ti, kush jam unë?! Pastaj nisi të shante para familjes sime", deklaroi Deraji. Ai shkoi brenda shtëpisë, mori thikën dhe, sipas tij, Isufi e sulmoi kur e pa me armën në dorë. Deraji e qëlloi dy herë në pjesën e gjoksit.
"E pashë që ra në tokë. Aty më kapi paniku dhe u largova. Sigurisht që në momentin e parë u pendova, por hataja ishte bërë. Nga frika u fsheha deri në momentin që më gjetën. Më vjen shumë keq, nuk doja që të përfundonte kështu, por mu errësuan sytë dhe nuk e kontrollova dot veten", u shpreh Deraji gjatë marrjes në pyetje.