Administrata Tatimore ka sqaruar se zbritjet tatimore për tatimpaguesit me fëmijë në ngarkim nuk jepen si kompensim direkt prej 48.000 lekësh (rreth 480 euro) ose 100.000 lekësh (rreth 1.000 euro).
Sipas sistemit e-Tax, gjenerimi i Deklaratës Individuale të të Ardhurave (DIVA) për vitin tatimor 2025 nis pas datës 22 janar 2026, me afat plotësimi deri më 31 mars 2026. Për herë të parë zbatohen zbritjet për fëmijë nën 18 vjeç dhe shpenzimet e arsimit.
Zbritja prej 48.000 lekësh zbatohet për të gjithë individët me fëmijë në ngarkim, pavarësisht nivelit të të ardhurave vjetore bruto. Ndërsa zbritja maksimale 100.000 lekësh për arsimin e fëmijëve lejohet vetëm kur të ardhurat vjetore bruto nuk i kalojnë 1,2 milionë lekë.
Si llogaritet kompensimi
Ligji "Për tatimin mbi të ardhurat" parashikon uljen e këtyre vlerave nga baza tatueshme. Kompensimi del si diferencë mes tatimit të ri (pas zbritjeve, sipas shkallës progresive) dhe tatimit të paguar gjatë 2025. Në rast tepricë kreditore (tatim të mbipaguar), tatimpaguesi paraqet kërkesë për rimbursim në drejtorinë rajonale të tatimeve.
Administrata Tatimore po përgatit udhëzimin me procedurat, dokumentacionin e nevojshëm dhe hapat për kërkesat e rimbursimit.
Për prindërit, zbritja 48.000 lekësh aplikohet për njëri nga çifti me të ardhurat më të larta. Për shembull, nëse të ardhurat vjetore janë deri në 1,2 milionë lekë, përfitohet zbritja e plotë për arsim.