Administrata Tatimore ka hapur aplikimet për përfitimin e kompensimit për shpenzimet e arsimit të fëmijëve. Kjo masë synon individët që kanë plotësuar Deklaratën Individuale të të Ardhurave (DIVA 2025) dhe kanë rezultuar me tatim të mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve në vlerë 48 mijë lekë ose 100 mijë lekë në vit për fëmijët në ngarkim.
Pas dorëzimit të kërkesës, shuma përfituese transferohet drejtpërdrejt në llogaritë bankare të deklaruara nga aplikuesit.
Procedura e aplikimit
Aplikimi kryhet plotësisht online nëpërmjet sistemit e-Tax. Pas hyrjes, aplikuesi ndjek këto hapa:
- Kliko mbi modulin e-Filing Im dhe zgjidh Çështjet e mia.
- Përzgjidh opsionin Pyetje të Përgjithshme për të krijuar një çështje të re.
- Shkruaj kërkesën për rimbursim, duke përmendur shumën e tatimit të mbipaguar sipas DIVA 2025, si në shembull: "Kërkoj të më rimbursohet nëpërmjet llogarisë bankare shuma e tatimit të mbipaguar me vlerë 6.240 lekë pas plotësimit të DIVA 2025".
Bashkëngjitni në format PDF dokumentacionin e kërkuar:
- Të dhënat e llogarisë bankare personale (IBAN).
- Certifikatën familjare.
- Dokumente justifikuese për shpenzimet e arsimit, si kontratat me institucionet arsimore dhe faturat e pagesave për shkollim, kurse ose gjuhë të huaja.
Detaje shtesë
Administrata Tatimore ka parashikuar një video udhëzuese për të lehtësuar procedurën. Vlera e kompensimit varet nga niveli i të ardhurave dhe numri i fëmijëve. Për shembull, për individë me të ardhura mbi 1,2 milionë lekë në vit dhe një fëmijë, kompensimi llogaritet rreth 62 euro në vit, ndërsa për familje me të ardhura mbi 2 milionë lekë dhe dy fëmijë nën 18 vjeç arrin rreth 12 mijë lekë.