Administrata Tatimore pritet së shpejti të përfundojë verifikimin e rreth 2 mijë aplikimeve të fundit për kompensimin e shpenzimeve arsimore të fëmijëve përmes Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, DIVA 2025. Pas përfundimit të procesit, do të nisë disbursimi i shumave në llogaritë bankare të përfituesve.
Procesi nisi në qershor dhe përfshin kontrollin e faturave të fiskalizuara, numrit të fëmijëve në ngarkim dhe të të dhënave të llogarive bankare. Gjatë kësaj periudhe, disa aplikuesve u janë dërguar njoftime për plotësimin e dokumentacionit, i cili është verifikuar më pas nga administrata tatimore. Këta janë individë që, përveç zbritjes së shpenzimeve prej 48 mijë lekësh, kërkojnë edhe zbritjen për shpenzimet arsimore deri në 100 mijë lekë.
Sipas burimeve nga administrata tatimore, shqyrtimi i kërkesave të kësaj kategorie kërkon më shumë kohë se ai i aplikimeve të tjera, pasi duhen verifikuar faturat që justifikojnë shpenzimet dhe saktësia e numrit të fëmijëve. Vështirësi janë hasur veçanërisht në verifikimin e numrave IBAN. Sipas Tatimeve, disa individë nuk kanë ndjekur procedurat e kërkuara në sistem për paraqitjen e tyre, ndaj administratës i duhet kohë për t’i verifikuar me bankat.
Për ciklin e ardhshëm të deklarimit, administrata tatimore ka nisur punën për dixhitalizimin e aplikimeve për zbritjen e shpenzimeve. Afati për plotësimin dhe dorëzimin e DIVA-s ishte 31 mars 2026. Nga fundi i majit, Tatimet nisën pagesat për individët që kishin deklaruar një ose dy fëmijë në ngarkim.
Deri tani, rreth 42 mijë tatimpagues kanë përfituar nga zbritjet e shpenzimeve të DIVA-s për vitin 2025. Shuma e disbursuar arrin në rreth 7 milionë euro. Sipas të dhënave të mëparshme të Tatimeve, për zbritjen e shpenzimeve arsimore deri në 100 mijë lekë pritet të ketë gjithsej 2,161 aplikues. Këtë zbritje mund ta përfitojnë individët me të ardhura bruto vjetore deri në 1.2 milionë lekë, me kusht që shpenzimet të justifikohen me fatura të fiskalizuara.
Zbritja prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim u përfitua nga të gjithë individët që plotësuan dhe dorëzuan DIVA-n, pavarësisht nivelit të të ardhurave. Sipas shembujve të publikuar nga Monitor, shumat e përfituara variojnë nga 62 deri në 250 euro.
E drejta për të kërkuar kompensim nuk humbet për 5 vjet. Afati i shqyrtimit të kërkesës nga administrata tatimore është deri në 2 muaj.