Policia gjermane zhvilloi një operacion në Kirchörbis, në rajonin e Eichsfeld në landin e Thuringisë, ku zbuloi një plantacion profesional kanabisi. Gjatë kontrollit të hershëm të enjten në një ndërtesë, hetuesit e departamentit të hetimit penal në Nordhausen gjetën mbi 120 bimë kanabisi, disa prej të cilave mbi një metër të larta.
Në operacion morën pjesë oficerë të policisë së rendit të Thuringisë dhe forca speciale të Zyrës së Policisë Kriminale të këtij landi. Rruga kryesore në Kirchörbis u mbyll për orë të tëra. I dyshuari, një 43-vjeçar shqiptar, u arrestua dhe u paraqit të premten para një gjyqtari, i cili vendosi masën e paraburgimit ndaj tij.
Në të njëjtën kohë, policia kontrolloi adresën e pronarëve të ndërtesës në një qytet të vogël në landin e Hesse, pranë Frankfurt am Main. Personat e gjetur atje nuk u arrestuan. Hetimet vazhdojnë në koordinim me zyrën e prokurorit publik në Mühlhausen.
Mediat gjermane, duke cituar autoritetet, njoftuan se vetëm në janar policia e Thuringisë zbuloi plantacione të tjera kanabisi në Eichsfeld dhe në rrethin e Sömmerda. Në këto raste dyshohet lidhje me grupe kriminale shqiptare.