Zëvendëskomandanti i misionit të KFOR-it, gjeneral brigade Federico Collina, i shoqëruar nga shefi i shtabit të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU), nënkoloneli Massimo Ienco, ka zhvilluar takime me udhëheqësit lokalë të Mitrovicës. Gjatë së njëjtës ditë, delegacioni takoi kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, dhe kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.
Sipas njoftimeve zyrtare të KFOR-it, takimet shërbyen si mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe forcimin e bashkëpunimit. Gjeneral brigade Collina prezantoi informacione mbi aktivitetet e misionit paqeruajtës dhe rikonfirmoi përkushtimin për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë banorët në Kosovë. KFOR-i nënvizoi se vijon zbatimin e mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke garantuar lirinë e lëvizjes në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin EULEX.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, pas takimit, shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të misionit paqeruajtës. Ai deklaroi se komuna është e angazhuar përmes veprimeve institucionale dhe projekteve zhvillimore për të krijuar mundësi të gjithëpërfshirjes, duke shtuar se përpjekjet po fokusohen në hapjen e urave të bashkëpunimit që kontribuojnë në paqe dhe stabilitet. Në raportimet mediatike është vënë në dukje mungesa e konfirmimit zyrtar nga KFOR-i nëse është diskutuar tema e Urës së Ibrit.