Zëvendëskomandanti i misionit të Forcës së Kosovës të udhëhequr nga NATO (KFOR), gjeneral brigade Federico Collina, zhvilloi një takim me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, në objektin e komunës.
Diskutimet mes palëve u përqendruan në vlerësimin e situatës së përgjithshme të sigurisë dhe në çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në komunitetin lokal. Gjatë takimit, gjeneral brigade Collina rikonfirmoi përkushtimin e vazhdueshëm të misionit të KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë banorët në Kosovë.
Në njoftimin zyrtar, KFOR-i theksoi se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Ky mision synon të kontribuojë në ruajtjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në mënyrë të paanshme. Për arritjen e këtyre objektivave, KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve përkatëse që këto institucione mbajnë në fushën e sigurisë.