Operatori shtetëror Telekomi i Serbisë ka nisur ndërtimin e rrjetit 5G duke u mbështetur aktualisht në pajisje nga prodhues evropianë. Ky zhvillim pason nënshkrimin e një marrëveshjeje kredie në muajin maj me Bankën Amerikane të Eksportit dhe Importit (EXIM). Zhvillimi i rrjetit 5G në Serbi po realizohet nga Telekomi i Serbisë, si dhe nga operatorët privatë Yettel dhe A1.
Shtetet e Bashkuara e shohin këtë marrëveshje si një hap për të kufizuar ndikimin e aktorëve të huaj në infrastrukturën kritike. Në rundin e parë të Dialogut Strategjik të zhvilluar në mes të korrikut, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, vlerësuan se përdorimi i "furnizuesve të besueshëm" forcon sigurinë e sistemeve të komunikimit. Departamenti amerikan i Shtetit i konsideron kompanitë kineze Huawei dhe ZTE si furnizues të pabesueshëm, duke pretenduar se pajisjet e tyre mund të përdoren për spiunazh. Këto akuza janë mohuar vazhdimisht nga kompanitë e përmendura.
Nga ana tjetër, Telekomi i Serbisë deklaroi se marrëveshja me bankën amerikane nuk përmban klauzola që kufizojnë zgjedhjen e furnizuesve të pajisjeve. Edhe Ministria e Informimit dhe Telekomunikacionit e Serbisë theksoi se përzgjedhja e pajisjeve mbetet një vendim biznesi i operatorëve dhe jo një detyrim shtetëror.
Eksperti për çështje gjeopolitike, Nikolla Lluniq, vlerëson se ndërtimi i rrjetit 5G paraqet një provë strategjike për Serbinë, duke pasur parasysh pozicionimin e saj ndaj arkitekturës së sigurisë perëndimore. Kompania Huawei ka qenë e pranishme prej vitesh në projekte të ndryshme në Serbi, përfshirë sistemet e mbikëqyrjes masive dhe "qytetet e mençura", të cilat kanë ngritur më parë shqetësime në publik lidhur me privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.