Një vatër zjarri është aktivizuar gjatë ditës së sotme në Malësinë e Krujës, konkretisht në hapësirën që shtrihet ndërmjet Kroit të Madh dhe fshatit Çudhë. Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe pemë, ndërsa situata mbetet alarmante për shkak të avancimit të shpejtë të tyre.
Sipas informacioneve nga zona, kushtet atmosferike dhe veçanërisht era e fortë po ndikojnë negativisht në shuarjen e vatrës, duke favorizuar përhapjen e flakëve në drejtime të ndryshme. Terreni i thyer dhe i vështirë në këtë zonë pengon ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse nga toka, duke bërë që aksesi për strukturat operacionale të jetë i kufizuar.
Banorët e zonës kanë bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme, duke nënvizuar se përdorimi i mjeteve ajrore është alternativa e vetme efektive për të frenuar zjarrin dhe për të shmangur përhapjen e tij në sipërfaqe më të gjera. Deri në këto momente, nuk është raportuar për ndërhyrje nga strukturat zjarrfikëse në vendin e ngjarjes, ndërsa shqetësimi për pasojat mbetet i lartë.
Përditësime
Agjencitë e Emergjencave Civile pritet të nisin ndërhyrjen në terren për shuarjen e flakëve në Malësinë e Krujës. Autoritetet konfirmuan zyrtarisht se banesat në zonë nuk janë aktualisht të rrezikuara nga vatra e zjarrit.