Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë fshatin Plan i Bardhë në territorin e Bashkisë Klos. Flakët kanë nisur fillimisht në një sipërfaqe me ferra dhe dushqe, por era e fortë ka favorizuar përhapjen e shpejtë të tyre, duke shkaktuar djegien e një banese të pabanuar.
Në perimetrin e zonës së rrezikuar ndodhet edhe një kabinë elektrike, për të cilën autoritetet po punojnë për të parandaluar djegien. Gjatë operacionit të ndërhyrjes, është raportuar shpëtimi i një gruaje të moshuar, e cila vuan nga paaftësia fizike.
Për përballimin e situatës janë angazhuar forcat zjarrfikëse nga Klosi, Burreli dhe Bulqiza. Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, njoftoi se operacioni për vënien nën kontroll të flakëve është ende në vijim. Ai bëri të ditur se, për shkak të përmasave të zjarrit dhe kushteve të favorshme për përhapje nga era, pritet mbërritja në ndihmë e zjarrfikësve nga Dibra, si dhe e trupave të Ushtrisë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të zonës që të shmangin afrimin në perimetrin ku po zhvillohet operacioni dhe të zbatojnë me rigorozitet udhëzimet e strukturave të emergjencës për sigurinë e tyre.