Një zjarr i fuqishëm pyjor në rajonin verilindor të Aragonit në Spanjë, i cili shpërtheu në zonën e Las Peñas de Riglos, vazhdon të jetë aktiv duke rrezikuar kompleksin mesjetar të manastirit San Juan de la Peña. Për shkak të përparimit të flakëve, autoritetet kanë ndërmarrë një operacion emergjent për të evakuuar thesaret kulturore të manastirit. Sipas nënkryetares së rajonit, Mar Vaquero, eshtrat e tre mbretërve që sunduan Aragonën ndërmjet viteve 1035 dhe 1104 janë transferuar në muzeun provincial në Huesca, rreth 80 kilometra larg.
Në operacion u përfshinë njësitë ushtarake të emergjencave, policia dhe zyrtarët e trashëgimisë, të cilët arritën të shpëtojnë gjithashtu piktura, relike dhe veshjet ceremoniale të një konti të shekullit të XVIII. Deri më tani, manastiri raportohet se ka mbetur i paprekur nga zjarri, ndërsa evakuimet kanë prekur 16 qytete dhe fshatra.
Në përballjen me flakët janë angazhuar mbi 500 zjarrfikës dhe 35 mjete ajrore, ndërsa autoritetet spanjolle kanë kërkuar ndihmën e Francës për avionë shtesë. Situata është përkeqësuar nga temperaturat jashtëzakonisht të larta, ku qershori dhe korriku i vitit 2026 u shënuan si periudha më e nxehtë që nga viti 1961, me temperatura 2.9 gradë Celsius mbi mesataren. Spanja po përballet edhe me zjarre të tjera në territore të ndryshme, ndërkohë që autoritetet po ndjekin me vëmendje zhvillimet në terren për të mbrojtur zonat e banuara dhe pasuritë historike.