Flakët, të cilat prej ditësh vazhdojnë të jenë aktive në Priskën e Madhe, janë përhapur në drejtim të Lundrës, Farkës së Madhe dhe Gurrës, duke cenuar sigurinë e pronave dhe banorëve. Sipas raporteve, zjarri ka shkaktuar djegien e një banese të pabanuar dhe është vërejtur një automjet i shkatërruar plotësisht nga flakët. Gjithashtu, banorët kanë njoftuar se dhjetëra bagëti kanë mbetur të bllokuara në zonat e rrezikuara, ndërsa tri familje janë evakuuar për arsye sigurie.
Ndërprerja e energjisë elektrike si pasojë e zjarreve ka detyruar stacionin e pompimit në Priskë të ndërpresë punën. Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) ka njoftuar se furnizimi me ujë do të mungojë për zonën e Lundrës dhe për abonentët në zonën e Priskës. Institucioni ka bërë të ditur se do të publikojë një njoftim të dytë sapo situata të rikthehet në normalitet.
Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e flakëve në Priskën e Madhe janë angazhuar 15 efektivë zjarrfikës me 4 automjete, të mbështetur nga 2 helikopterë. Në zonën e Dajtit, puna vijon me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, gjithashtu nën mbështetjen e 2 helikopterëve të Forcës Ajrore. Prioriteti i ekipeve në terren mbetet frenimi i përhapjes së mëtejshme të zjarrit dhe izolimi i flakëve në zonat me bimësi të dendur.
Përditësime
Forcat zjarrfikëse nga Kamza dhe Elbasani janë dislokuar në terren për të përforcuar ndërhyrjen. Operacionet nga ajri janë ndërprerë gjatë natës për shkak të pamundësisë së shikueshmërisë. Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, po koordinon masat në vijën e parë. Policia ka bllokuar qarkullimin në aksin Tiranë-Lundër-Daias dhe në hyrjen e Mulletit për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve emergjente. Presidenti Bajram Begaj dënoi zjarrvënien dhe kërkoi ndëshkim maksimal për personat përgjegjës.