Prej 6 ditësh, një zjarr i përmasave të mëdha është duke djegur një pjesë të zonës pyjore në fshatin Dardhë, në Bashkinë e Librazhdit. Përpjekjet për vënien nën kontroll të flakëve po hasin në vështirësi të mëdha si pasojë e terrenit të thyer malor, erës së fortë dhe temperaturave të larta që kanë karakterizuar ditët e fundit.
Dhjetëra forca të Shërbimit Zjarrfikës të Librazhdit, të mbështetura nga strukturat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë angazhuar në terren për izolimin e vatrave aktive. Për shkak të pamundësisë së kalimit të mjeteve në pjesë të caktuara, ekipet po operojnë në këmbë në disa sektorë të ndryshëm. Prioriteti aktual i autoriteteve është mbrojtja e sipërfaqeve pyjore dhe pengimi i përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Zona ku zjarri është aktiv është karakterizuar nga prania e sasive të mëdha të lëndës drusore të tharë, e cila është grumbulluar gjatë dekadës së fundit si pasojë e shfrytëzimit të parregullt të ekonomisë pyjore. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kishte paralajmëruar më herët Qarkun e Elbasanit si një rajon me rrezik shumë të lartë për shpërthimin e zjarreve, për shkak të valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin gjatë fundjavës.
Deri në këto momente, autoritetet konfirmojnë se nuk ka persona të lënduar. Vatra e zjarrit ndodhet larg qendrave të banuara, duke shmangur rrezikun e drejtpërdrejtë për banesat. Monitorimi i zonës vijon pandërprerë nga grupet e emergjencës për të vlerësuar dëmet mjedisore, të cilat pritet të jenë të konsiderueshme për shkak të pasurisë pyjore dhe bimësisë natyrore të zonës.
Përditësime
Ekipet e emergjencës kanë izoluar vatrën e zjarrit në njësinë administrative Hotolisht, e cila ka përfshirë rreth një hektar pyll. Puna për shuarjen përfundimtare po vështirësohet nga terreni shkëmbor, shtresat e trasha të humusit dhe drurët e rrëzuar, ndërsa erërat e forta po shkaktojnë riaktivizime të vazhdueshme. Zjarri në zonën e Dardhës në Librazhd vijon prej gjashtë ditësh.
Zjarri në Dardhë të Librazhdit, i cili zgjat prej 6 ditësh, është tashmë nën kontroll, sipas shefit të zjarrfikësve, Partizan Ballolli. Operacionin e kanë inspektuar për nga afër kryebashkiaku Mariglen Disha dhe kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, për të vlerësuar ecurinë e punës dhe masat e ndërmarra.
Pas gjashtë ditësh përpjekjesh, autoritetet vunë nën kontroll të plotë vatrën e zjarrit në Dardhë të Librazhdit mëngjesin e së hënës, 3 gusht. Flakët, të cilat u përhapën deri në zonën kufitare me Sopotin, u shuan përmes mjeteve manuale për shkak të terrenit të thyer malor. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje barinjve dhe mbledhësve të bimëve mjekësore që frekuentojnë zonën të tregojnë kujdes të shtuar.
Situata e zjarreve në qarkun e Elbasanit është përkeqësuar pas shfaqjes së një vatre të re në fshatin Shqiponjë, Prrenjas. Ndërkohë, zjarri në Dardhë të Librazhdit, që vijon prej gjashtë ditësh, mbetet aktiv në një masiv pyjor me ahu, ku ndërhyrja është bërë e vështirë për shkak të terrenit të thyer.
Zjarri në zonën e Dardhës vijon të jetë aktiv prej 7 ditësh, ku terreni i thyer po vështirëson ndërhyrjen e forcave operacionale. Ndërkohë, një vatër e re është raportuar në Njësinë Administrative Stravaj të Prrenjasit.