Një zjarr i përmasave të konsiderueshme vijon të përparojë në Malin e Çikës, duke krijuar një situatë shqetësuese për zonat turistike të bregdetit të jugut. Flakët, të cilat janë aktive prej dy ditësh, kanë përfshirë fillimisht një sipërfaqe të konsiderueshme malore në krahun që shikon nga Dukati.
Situata është përkeqësuar gjatë orëve të fundit, pasi vatra e zjarrit është shtrirë edhe në krahun tjetër të malit, duke u afruar në drejtim të Dhërmiut dhe Palasës. Ekipet e zjarrfikësve dhe forcat e angazhuara në terren po vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrave dhe frenimin e përhapjes së flakëve në këto zona mjaft të frekuentuara.
Për t'i ardhur në ndihmë operacionit nga ajri, janë angazhuar dy avionë të tipit Air Tractor, të cilët po punojnë për vënien e situatës nën kontroll. Aktualisht, nuk ka ende një vlerësim përfundimtar mbi sipërfaqen e saktë të përfshirë nga flakët, ndërkohë që puna në terren vijon pa ndërprerje.