Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës mbi procedurat e prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të autoudhëve A6 (“Arbën Xhaferi”) dhe A7 (“Ibrahim Rugova”) për periudhën 2025–2028. Raporti konstaton se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk ka respektuar parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë gjatë këtij procesi.
Aktiviteti me vlerë të parashikuar prej 15.9 milionë euro për 36 muaj u iniciua vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave të mëparshme, duke detyruar shkurtimin e afatit të dorëzimit të ofertave. Për shkak të vonesave dhe shtyrjes së hapjes së ofertave pesë herë, Ministria aplikoi procedura të negociuara për mirëmbajtjen dimërore, duke paguar rreth 2.8 milionë euro deri në korrik 2026. ZKA vlerëson se ky veprim uli konkurrencën dhe transparencën.
Ndër mangësitë kryesore të evidentuara janë:
- Mosanalizimi i kombinimeve ekonomike të ofertave: ZKA gjeti se një kombinim alternativ do të kishte kursyer rreth 15% të çmimit për njësi.
- Diferenca të mëdha midis çmimeve të ofertuara dhe atyre referente: në Llotin e tretë, 68% e pozicioneve ishin ofertuar me çmime 90% më të ulëta se referenca, ku çmimet prej 180–240 euro u ofertuan për vetëm 0.10 euro.
- Dështimi për të kërkuar sqarime teknike nga operatorët ekonomikë në rastet e paqartësive.
Auditimi ka identifikuar gjithashtu rrethana që mund të përbëjnë konflikt interesi, pasi kryesuesi i Komisionit të Vlerësimit kishte pasur angazhim profesional të mëhershëm me operatorin ekonomik të shpallur fitues. Ministria nuk kishte referuar këtë rast për vlerësim tek autoriteti kompetent. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, kërkoi forcimin e kontrolleve në të gjitha fazat, ndërsa Ministria është zotuar për zbatimin e rekomandimeve të auditimit.