Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka deklaruar se Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të jetë as efikase dhe as efektive në grumbullimin e mbeturinave të amvisërisë gjatë viteve të fundit. Zyra Kombëtare e Auditimit kreu auditim të performancës për shkak të interesit publik dhe situatës në kryeqytet. Raporti u dërgua në Kuvendin e Kosovës dhe tek palët e audituara.
Një nga gjetjet kryesore ishte dështimi i pothuajse të gjitha hallkave të mbikëqyrjes institucionale në të gjitha nivelet. Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimi” nuk ushtroi mbikëqyrje efektive mbi veprimtarinë e kompanisë dhe nuk trajtoi problematikat aktuale të mbeturinave. Në vend të kësaj, bordi u përqendrua kryesisht në çështje financiare dhe administrative.
Numri i kamionëve aktivë për mbledhjen e mbeturinave ka rënë vazhdimisht dhe planet investive nuk u realizuan. Kamionët e rinj u dorëzuan me vonesë dhe nuk u vunë menjëherë në funksion. Komuna lidhi dy kontrata brenda vitit 2024 për furnizim me kontejnerë në vlerë afër 747 mijë euro, por shumë prej tyre mbetën të papërdorur ose u dëmtuan për shkak të mungesës së njohurive të stafit.
Përditësime
Komuna e Prishtinës angazhoi operatorë privatë me çmim rreth 10 euro për ton më të lartë se KRM “Pastrimi”. Kjo rriti kostot me 149 mijë euro për periudhën prill-dhjetor 2024, me çmim 71.15 €/ton për operatorët privatë krahasuar me 61.88 €/ton për operatorin publik. Raporti për periudhën 2023–2025 thekson gjithashtu kamionë jashtë funksionit dhe shpenzime të larta për operatorët privatë.