Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbyllur paraqitjen e provave të saj në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, lidhur me administrimin e drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjyqtari i vetëm Christoph Gosnell vendosi që mbrojtja të dorëzojë mocionet për rrëzimin e akuzave deri më 23 marsin 2026, ndërsa prokuroria kundërpërgjigjet deri më 25 marsin 2026. Varësisht nga vendimet e gjyqtarit, mbrojtja do të njoftojë nëse do të paraqesë prova. Në rast afirmativ, deklaratat hyrëse të mbrojtjes nisin më 7 prillin 2026, me dëgjimin e dëshmitarëve të tyre deri më 24 prillin 2026.
Në seancën fillestare të 27 shkurtit 2026, të pandehurit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale të ngritura në barrë. Po atë ditë nisi dëshminë dëshmitari i parë me masa mbrojtëse, që përfundoi më 2 marsin 2026. Më 3 dhe 4 marsin 2026 dëshmoi Koen Herlaar, ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Dëshmitari i tretë, Christopher Kelly, hetues i forenzikës digjitale, dëshmoi më 4 dhe 5 marsin 2026.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i 2020-s dhe po gjyqohet për krime lufte, si dhe për këtë aktakuzë të ngritur më 2024. Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetorin 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK më 6 dhjetorin 2024, sipas aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve.