Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Dëshmia e ekspertit të kriminalistikës Koen Herlaar, i ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, filloi dje dhe transmetohet me 45 minuta vonesë për publikun.
Në seancën e djeshme, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, kërkoi që dëshmitari të përgjigjet në pyetjet e parashtruara. Sot pyetjet i vazhdoi mbrojtja e Smakajt, e përfaqësuar nga avokati Jonathan Elystan Rees. Prokurori Joshua Hafetz propozoi kalimin në seancë private, të aprovuar nga gjyqtari Christoph Gosnell. Herlaar analizoi dokumente të printuara të përdorura si prova nga prokuroria.
Pas përfundimit të dëshmisë së tij pritet dëshmia e dëshmitarit të tretë, të njohur si '9'. Të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm në seancën fillestare më 27 shkurt 2026. Dëshmitari i parë dëshmoi po atë ditë, me masa mbrojtëse.
Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në Hagë më 6 dhjetor 2024. Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në Qendrën e Paraburgimit më 5 dhjetor 2024, ndërsa Hajredin Kuçit fletëthirrja për paraqitjen e parë më 9 dhjetor 2024. Thaçi ndodhet në paraburgim që nga nëntori 2020 dhe akuzohet edhe për krime lufte bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Trupi gjykues vendosi ndryshim të kushteve të lirimit me kusht për katër të akuzuarit e fundit, duke lejuar komunikim mes tyre në hapësirat e DhSK-së, por pa diskutim të çështjeve konfidenciale. Thaçi u anku për mungesë përkthimi gjatë seancës.