Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Shërbimi Korrektues i Kosovës do të përforcohet me 100 kadetë të rinj korrektues. Këta do të angazhohen në garantimin e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në institucionet korrektuese të vendit.
Sipas saj, Shërbimi Korrektues është hallkë thelbësore e sistemit të drejtësisë. Ai siguron jo vetëm zbatimin e ligjit, por edhe trajtimin me dinjitet të personave të privuar nga liria. “Shërbimi Korrektues i Kosovës është një hallkë thelbësore e sistemit të drejtësisë, që garanton zbatimin e ligjit dhe trajtimin me dinjitet të personave të privuar nga liria”, shkroi Gërvalla.
Ajo theksoi se kadetët e rinj sjellin energji të re dhe përgjegjësi të madhe në një profesion që kërkon disiplinë, integritet dhe vetëkontroll të përditshëm. “Që sot këtij shërbimi i shtohen edhe 100 kadetë të rinj korrektues, të cilët sjellin energji të re dhe përgjegjësi të madhe në një profesion që kërkon disiplinë, integritet dhe vetëkontroll çdo ditë”, tha ministrja.
Roli i zyrtarëve korrektues nuk kufizohet te ruajtja e rendit. Ai lidhet edhe me riintegrimin e personave të privuar nga liria në shoqëri. “Profesionalizmi, korrektësia dhe mënyra se si zbatohet ligji në këto institucione ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë që ata persona një ditë të rikthehen në shoqëri si qytetarë më të përgjegjshëm”, nënvizoi ajo.
Në muajt në vijim, kadetët do të ndjekin trajnim profesional gjashtëmujor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Aty do të fitojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për sfidat e profesionit.
Gërvalla shtoi se Kosova ka bërë përparime në trajtimin e personave të privuar nga liria. Ky progres reflektohet në vlerësimet e Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë që monitorojnë fushën.