Policia në Gjilan ka intervistuar 14 persona nën dyshimin për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Lajmin e kanë konfirmuar mediat lokale, duke cituar zëdhënësin e policisë në këtë rajon, Ismet Hashani.
Sipas Hashanit, të intervistuarit janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit. Ai ka deklaruar se "Janë intervistuar 14 persona dhe varësisht nga të gjeturat, Policia Rajonale e Hetimeve me koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojë edhe intervistimin e personave të tjerë".
Hetimet për manipulim votash po zhvillohen në mbarë Kosovën, ku dhjetëra të dyshuar janë arrestuar në komuna të ndryshme. Në Suharekë, të martën u ndaluan për 48 orë 19 kryekomisionerë nga 72 të intervistuar. Aksione të ngjashme janë kryer edhe në qendra të tjera.