Policia e Kosovës ka intervistuar 12 persona më 26 shkurt 2026 lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit në qendrat e votimit të Vushtrrisë dhe Skenderajt.
Rasti në Vushtrri i përket periudhës 29 dhjetor 2025 deri më 2 janar 2026, gjatë së cilës janë intervistuar shtatë të dyshuar. Pas procedurave hetimore fillestare dhe me urdhër të prokurorit kompetent, ata u liruan në procedurë të rregullt.
Në Skenderaj, për të njëjtën periudhë, janë intervistuar pesë të dyshuar. Edhe këta u liruan në procedurë të rregullt pas intervistimit, sipas vendimit të prokurorit.
Dyshimet lidhen me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Hetimet për të dyja rastet vazhdojnë, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.