Një 14-vjeçar ka përplasur automjetin policor në Vlorë mbrëmjen e 31 marsit 2026, rreth mesnatës, duke lënë të plagosur dy punonjës policie jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 24 Maji, ku shërbimet e policisë kanë konstatuar të miturin duke kryer manovra të rrezikshme me automjetin e nënës së tij, pa leje drejtimi.
Shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë për ndalim, por drejtuesi nuk i është bindur urdhrit, ka rritur shpejtësinë dhe ka tentuar të godasë patrullën. Pas disa minutash ndjekjeje, në zonën Kinoteatri, ai ka përplasur automjetin policor, duke shkaktuar dëmtime të lehta të dy efektivëve, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës.
I mituri ka braktisur automjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe arrestuar nga shërbimet e policisë. Veprimet procedurale janë kryer në prani të psikologut, avokatit dhe nënës së tij, sipas legjislacionit për të miturit. Automjeti është sekuestruar.
Ndaj nënës së 14-vjeçarit është marrë masë administrative dhe pezullim i lejes së drejtimit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik", "Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt" dhe "Shkatërrimi i pronës".
Policia e Shtetit i bën apel prindërve të ushtrojnë përgjegjësi dhe të mos lejojnë drejtimin e automjeteve nga të miturit, për shkak të rrezikut për jetën dhe sigurinë rrugore.