Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës së 1 prillit, kur një automjet tip Golf, i drejtuar nga një 15-vjeçar, nuk i është bindur urdhrit të forcave të rendit për të ndaluar. Pas këtij refuzimi, patrulla e policisë ka nisur ndjekjen e mjetit duke filluar nga zona e Çolës.
Gjatë tentativës për t'iu shmangur forcave të rendit përgjatë bulevardit Ismail Qemali, drejtuesi i mitur ka përplasur qëllimisht automjetin e policisë. Forca e goditjes ka shkaktuar përmbysjen e mjetit të patrullës. Në këtë aksident është përfshirë edhe një automjet tjetër tip Benz, megjithatë nuk raportohet për persona të lënduar nga ky mjet.
Si pasojë e përplasjes, dy efektivë të policisë kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Policia e Vlorës ka njoftuar se i mituri është shoqëruar në komisariat, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.