Një 15-vjeçar nga fshati Bogovinë, në rrethinën e Tetovës, u dërgua më 24 tetor në Qendrën Klinike të Tetovës me plagë nga arma e zjarrit në bark. Sipas njoftimit të policisë, rasti u raportua në orën 14:10 nga Qendra Klinike në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë.
Më vonë, në Stacionin Policor të Tetovës u paraqitën babai 42-vjeçar dhe djali i tij 16-vjeçar, të dy nga Bogovina. Ata dorëzuan një pistoletë me karikator të zbrazët. Sipas deklaratës së babait, ngjarja ndodhi rreth orës 13:45 në fshatin Bogovinë, kur një plumb u shkrep pa dashje nga pistoleta që mbante djali i tij i mitur.
Këqyrja e vendit të ngjarjes u krye në prani të prokurorit publik të Prokurorisë Themelore Publike të Tetovës dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale në Tetovë. I mituri 16-vjeçar u ndalua për procedura të mëtejshme.
Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit. Pas përfundimit të veprimeve, pritet të paraqitet kallëzimi përkatës.