Në fshatin Zhabar të Mitrovicës së Jugut ka pasur të shtëna me armë zjarri rreth orës 22:00 të së premtes, më 13 shkurt 2026. Një person i moshës madhore ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë për trajtim mjekësor.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar ngjarjen. Ai ka thënë se Policia ka pranuar një informacion për të shtëna me armë zjarri në fshatin Zhabar. Nga hetimet fillestare, një person i moshës madhore ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit dhe është dërguar në spital për trajtim. Njësi të specializuara policore janë duke zhvilluar hetimet.
Zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Shpend Fazliu, ka njoftuar se viktima, e lindur më 1982, është paraqitur në Shërbimin Emergjent rreth orës 22:25. Pas ekzaminimeve, është konstatuar lëndim në këmbë nga armë zjarri. I plagosuri po vazhdon trajtimin dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Përditësime
I plagosuri është liruar nga spitali pas trajtimit mjekësor.
Ngjarja ndodhi në rrugën Ulqini, Zhabar i Mitrovicës së Jugut, ku ai u qëllua nga një person i panjohur prej një automjeti. Policia gjeti dy gëzhoja në vendngjarje.