Një ngjarje tragjike është shënuar pasditen e kësaj të premteje në bregdetin e Vlorës, ku një 29-vjeçare ka humbur jetën pasi është mbytur në det. Viktima, e identifikuar si A. Gjilaj, po pushonte në zonën e Porto Novos së bashku me familjen e saj në momentin e incidentit.
Zona në fjalë konsiderohet prej vitesh si një nga pikat më të rrezikshme të bregdetit për shkak të rrymave të forta detare, për të cilat ekzistojnë edhe tabela paralajmëruese për pushuesit. Sipas informacioneve, ndërhyrja për shpëtimin e të resë ka qenë e pamundur, pasi ajo është gjetur pa shenja jete.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe rrugës së dëmtuar për automjetet, transportimi i trupit të pajetë është kryer përmes detit me gomone drejt Triportit. Pas këtij operacioni, trupi është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Vlorës.
Policia e Vlorës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke marrë në pyetje dëshmitarë dhe pushues që ndodheshin në zonë.