Emisioni "Në Shënjestër", me autore Klodiana Lalën në News24, zbuloi të martën detaje të reja nga dosja hetimore e hakerimit të kompjuterave të prokurorëve të SPAK. Për këtë akuzohen Agim Ismaili, ish-drejtor i përgjithshëm i burgjeve, si dhe Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj.
Kompjuteri i ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, u tentua të hakërohet 425 herë në periudhën shkurt-mars 2025. Gazetari Xhevair Zhabina deklaroi se edhe kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, ka qenë në fokus të ndërhyrjeve në sistemin kompjuterik.
Interesi për dosje specifike
Të akuzuarit synonin dosje të ndryshme përmes hakerimit të emaileve të prokurorëve. Agim Ismaili ishte i interesuar të dinte nëse ekzistonte hetim për ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.
Si u zbulua ngjarja
Ngjarja u zbulua përmes veprimtarisë së Zambak Gjonit, ish-punonjës në Drejtorinë e Burgjeve dhe më pas në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit. Ai zotëronte materiale hetimore sekrete, të cilat në mars 2025 ia dërgoi një gazetari për publikim.
Gazetari, i vetëdijshëm për shkeljen ligjore, njoftoi menjëherë SPAK. Struktura nisi hetim për rrjedhjen e informacionit, i cili ishte ende në përpunim dhe jo publik. Altin Dumani urdhëroi hetim të zgjeruar.