Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi se pasuritë e përfituara nga veprimtaria kriminale nuk do të gëzohen apo trashëgohen, por do të kthehen në shërbim të interesit publik. Para dhe prona që burojnë nga droga, mashtrimi apo forma të tjera kriminale do të rikthehen tek fëmijët, familjet, komunitetet në nevojë dhe viktimat e dhunës.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka hapur thirrjen për financimin e projekteve të organizatave jofitimprurëse. Fondi total është 150.000 euro (rreth 15 milionë lekë), i krijuar nga pasuritë e konfiskuara të krimit. Qëllimi është parandalimi i kriminalitetit dhe rehabilitimi social, kulturor e shëndetësor i shtresave në nevojë, sidomos i personave të prekura nga krimi i organizuar, trafikimi dhe forma të tjera kriminale.
Ministrja Koçiu ftoi organizatat e shoqërisë civile të aplikojnë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se pasuritë e krimit shndërrohen në mbështetje për komunitetin.
Fushat prioritare
- Rehabilitimi social, kulturor dhe shëndetësor i shtresave në nevojë;
- Parandalimi i kriminalitetit dhe riintegrimi i personave të prekur nga krimi;
- Asistenca dhe rehabilitimi i viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit;
- Rehabilitimi dhe trajtimi i përdoruesve të substancave narkotike;
- Mbrojtja e të drejtave të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës;
- Asistenca për viktimat e trafikut të qenieve njerëzore.
Aplikimi është i hapur për organizata jofitimprurëse të regjistruara në Republikën e Shqipërisë që veprojnë në këto fusha. Afati i dorëzimit të aplikimeve është 9 mars 2026. Informacionet e detajuara mbi kriteret, dokumentacionin dhe procedurën gjenden në faqen zyrtare të AAPSK-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.