Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Drejtësisë Penale, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) organizoi veprimtarinë përkujtimore “Mbrojtja nën Pranga: Përkujtimi i avokatëve mbrojtës dhe shtypja e drejtësisë (1944–1966)”. Ky aktivitet synoi të nxjerrë në pah goditjen e profesionit të avokatit dhe rolin e tyre në mbrojtjen e të drejtave individuale gjatë regjimit komunist.
Kryetarja e AIDSSH, Gentiana Sula, bëri të ditur se, bazuar në dokumentet arkivore, janë identifikuar rreth 130 avokatë që ushtruan profesionin në periudhën e parë të regjimit. Prej tyre, të paktën 30 persona u dënuan, u burgosën, u internuan, u survejuan ose u përjashtuan nga profesioni për shkak të qëndrimit të tyre etik. Sipas Sula-s, suprimimi i avokatisë në vitin 1967 nuk ishte rezultat i një reforme, por një vendim politik për të eliminuar pavarësinë e mbrojtjes ligjore dhe për ta zëvendësuar atë me një sistem të kontrolluar nga shteti.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Ulsi Manja, i cili theksoi se një sistem demokratik matet me aftësinë për të garantuar të drejtat e individit përballë makinerisë shtetërore. Ai nënvizoi se puna e AIDSSH është jetike për dokumentimin e së vërtetës dhe se Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin kushtetues dhe moral për të siguruar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha, po ashtu vlerësoi kontributin e këtij institucioni në ruajtjen e kujtesës kolektive. Veprimtaria u përmbyll me hapjen e një ekspozite që përfshinte dokumente origjinale, fotografi historike dhe profile të avokatëve që u përballën me represionin e kohës.