Deputeti socialist Erion Malaj paraqiti në parlament ndryshime ligjore për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sipas propozimit, AKSHI nuk do të organizojë më tenderë për nevojat e aktivitetit të saj. Këto ndryshime u diskutuan të hënën në Komisionin e Ligjeve dhe Komisionin e Sigurisë.
Qëllimi kryesor është ndarja e rolit të AKSHI-së si autoritet publik, përgjegjës për standardizimin, arkitekturën, sigurinë dhe mbikëqyrjen e sistemeve të qeverisjes elektronike, nga pjesa operacionale. Kjo e fundit lidhet me zhvillimin, administrimin dhe mirëmbajtjen teknike të sistemeve dhe platformave.
Ndryshimet parashikojnë shfuqizimin e nenëve që përcaktojnë rastet kur AKSHI organizon prokurime. Këto zëvendësohen me një paragraf të ri, sipas të cilit procedurat e prokurimit publik, përfshirë ato në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik.
Sipas shpjegimit të dhënë nga ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj në grupin parlamentar socialist, prokurimet për llogari të AKSHI-së do të kryhen nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara.
Propozimi përfshin edhe mundësinë që pjesa operacionale e AKSHI-së të krijojë shoqëri të përbashkëta, ku shteti të ketë të paktën 51% të aksioneve. Opozita ka ngritur pikëpyetje kryesisht për mënyrën se si do të përzgjidhen kompanitë që do të hyjnë në partneritet me AKSHI-në për mirëmbajtjen e sistemeve qeveritare.
Këto ndryshime vijnë pas hetimit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili zbuloi abuzime miliona euroshe me tenderët e AKSHI-së.