Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtrojë një nismë ligjore të depozituar nga deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Malaj. Ky projektligj synon transferimin e tenderave dhe kontratave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) tek një shoqëri aksionere ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve.
AKSHI nuk do të kryejë më prokurime të qendërzuara dhe nuk do të lidhë kontrata për ndërtimin e mirëmbajtjen e platformave dhe sistemeve digjitale të vendit. Propozimi parashikon krijimin e një shoqërie në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) për të marrë këto detyra.
Ndryshimet në ligj
Projektligji kërkon shfuqizimin e disa pikave në nenet 4 dhe 29 të ligjit "Për qeverisjen elektronike". Kështu, AKSHI-së i hiqen kompetencat për:
- Kryerjen e prokurimeve të qendërzuara dhe lidhjen e kontratave për sistemet e teknologjisë së informacionit.
- Prokurimet e klasifikuara si "sekret shtetëror" për institucionet e administratës, mbrojtjes dhe sigurisë.
- Prokurimet e tjera sipas kërkesave të institucioneve.
Konteksti i propozimit
Erjon Malaj është deputet i ri në Kuvend. Nisma vjen pas hetimit të Prokurorisë së Posaçme kundër një grupi të strukturuar në krye të AKSHI-së, i akuzuar për kontrollin e tenderave prej dhjetra milionë eurosh të infrastrukturës digjitale. Mes të akuzuarve janë biznesmeni Ergys Agasi dhe drejtoresha Mirlinda Karçanaj.
Mazhoranca socialiste ka aplikuar praktikën e ndryshimeve ligjore përmes propozimeve të deputetëve në legjislaturën e kaluar. Kohët e fundit, ajo ka orientuar drejt menaxhimit me shoqëri aksionare publike-private në sektorë të ndjeshëm, përfshirë mbrojtjen.