Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka publikuar një video në rrjetet sociale ku kritikon politikën e digjitalizimit të qeverisë. Ajo vlerëson se shpenzimet e larta nuk kanë dhënë rezultate në shërbime funksionale për qytetarët.
Sipas Tabakut, buxheti i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është rritur me rreth 500 milionë euro vetëm brenda një viti. Në të njëjtën kohë, numri i punonjësve në administratën publike ka arritur në 184 mijë, rreth 20 mijë më shumë se katër vite më parë.
Tabaku shpjegon se qeveria justifikon këtë rritje me digjitalizimin dhe përmirësimin e shërbimeve, por realiteti është i ndryshëm. “Administrata publike dhe AKSHI sot përbëjnë pothuajse 18% të buxhetit të shtetit, por asnjë nga shërbimet digjitale nuk funksionon”, deklaron ajo.
Deputetja e Partisë Demokratike atribuon problemet korrupsionit, tenderave të paracaktuar dhe shpenzimeve të dalura jashtë kontrollit. Ajo nënvizon se qeveria ka humbur çdo sens prioriteti publik, duke zëvendësuar reformën reale me shpërndarjen masive të prokurimeve.
“Nuk është rastësi që sot flitet për një ‘qeveri të prokurimeve’ dhe një ‘qeveri të të pandehurve’”, thekson Tabaku. Ajo kërkon transparencë, përgjegjësi dhe rishikim të plotë të menaxhimit të fondeve publike në sektorin e digjitalizimit.
Sipas saj, digjitalizimi duhet të shërbejë për shërbime më të mira dhe më pak burokraci për qytetarët, jo si justifikim për rritje të shpenzimeve dhe abuzime me paratë publike.