Gjatë orëve të natës, në aksin e autostradës Laç-Mamurras, është regjistruar një aksident rrugor me pasojë dëme të konsiderueshme materiale dhe lëndime fizike. Një autoveturë, për shkaqe ende të paqarta, ka dalë nga kontrolli dhe është përplasur me disa automjete që ndodheshin të parkuara pranë një pike karburanti.
Përplasja ka shkaktuar dëmtime edhe në vetë distributorët e karburantit. Drejtuesi i automjetit, i cili ka marrë lëndime të rënda, u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Forcat e policisë dhe grupi hetimor mbërritën në vendngjarje për të kryer veprimet procedurale dhe për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.